Katerina Monzul, ukrainasja që ndau drejtësinë në Andorrë-Angli

Nuk është se nuk bëri gabime, por kjo gjë i ndodh vetëm atyre që nuk punojnë. Katerina Monzul hyri në histori dhe bëri vendin e saj krenar, duke u bërë gjyqtarja e parë femër nga Ukraina që drejton një ndeshje të ekipeve kombëtare të meshkujve. Kjo në sfidën Andorrë-Angli në eleminatoret e Kupës së Botës që përfundoi 5-0 për “tre luanët”. Mediat angleze i bënë komplimentin më të bukur të mundshëm për një arbitre apo arbitër: Ishte e vështirë të kuptohej nëse gjyqtarja ishte në fushën e lojës! Pikërisht kështu duhet të bëjë një arbitër, të ndërhyjë sa më pak që të jetë e mundur, sa më pak vërshëllima dhe Katerina ia doli mbanë. Ajo pati vetëm dy momente që mund të quhen gabime, goli i parë i Anglisë, shënuar nga Çiluell, u dekretua nga VAR-i pasi “xhaketa e zezë” e anuloi për pozicion jashtë loje, por kjo ndodh rëndom edhe tek meshkujt. Momenti i dytë ishte kur nuk i dha një karton të dytë të verdhë Rebesit të Andorrës, që do të kishte qenë i kuq, por ndoshta me të drejtë mbajti krahun e ekipit të dobët.

Sfidanti.al