Mesi dhe Benzema janë favoritët për Topin e Artë!

Edhe fatin e ka me vete, por dihet se kjo u ndodh më të mirëve. Lionel Mesi është në formë të shkëlqyer të paktën me Argjentinën këtë sezon, dhe cilësohet si favoriti për të fituar përsëri Topin e Artë të “Frans Futbollit”. Kapiteni “albiseleste” shënoi një gol jo të zakonshëm, me fat, ndërsa kombëtarja e tij mundi 3-0 Uruguajin në eleminatoret e Kupës së Botës. Mesi fitoi për herë të parë Kupën e Amerikës në karrierë, duke udhëhequr Argjentinën në Brazil, ndërsa pati një vit 2021 të jashtëzakonshëm me Barcelonën, edhe pse fitoi vetëm Kupën e Mbretit. i mbiquajturi “Pleshti” ende nuk është përshtatur plotësisht tek skuadra e tij e re, Paris SG, por gjithsesi cilësohet si kandidati numër 1 për të fituar Topin e 7-të të Artë në karrierë, që do të ishte një rekord i pabesueshëm, ndërsa Kristiano Ronaldo ka 5. Gjithsesi, argjentinasi është në shoqëri të mirë.

Karim Benzema gjithashtu pretendon me të drejtë për trofeun individual që jepet pikërisht nga revista franceze “Frans Futboll”. Sulmuesi i Francës dhe i Realit të Madridit është në formë madhështore dhe ka shënuar 12 gola e ka shërbyer 8 asistë në 15 ndeshje këtë sezon, qoftë për ekipin spanjoll, qoftë edhe për kombëtaren. Benzema pati meritën kryesore që Franca fitoi Ligën e Kombeve, ndërsa besohet se ai dhe Mesi janë favoritë ndaj kandidatëve të tjerë për Topin e Artë si Levandovski, Jorginjo, Mbape apo Kristiano Ronaldo.

Sfidanti.al