“Karantinë” tek Gjermania, kritika nga mediat dhe një çështje “Rojs”!

Heshtje e plotë pas humbjes. Asgjë nuk pipëtiu në autobusin e Gjermanisë, pas disfatës ndaj Meksikës, ndërsa trajneri Lëv dhe Federata u detyruan të ndryshonin planet. Jo më komunikime me mediat, të paktën deri në prag të duelit ndaj Suedisë në 23 qershor. Edhe konferenca e ish-kapitenit Filip Lahm, kampion bote në 2014, u anulua për të mos krijuar asnjë shqetësim.

Skuadra është izoluar në kompleksin stërvitor në Vatutinki, duke anuluar një stërvitje të hapur për publikun Shefat gjermanë dhe Lëvi patën arsye të forta për këto masa. Paraqitja ndaj Meksikës ishte e dobët, krejt ndryshe nga sa pritej, ndërsa kritikat e talljet nuk munguan.

Gazeta Berliner Kurir titullon dhe bën lojë fjalësh: Fiasko në vend të festës! Jogi, kjo ishte Niksiko! Sërish Berliner Kurir: “Tashmë flitet për mbijetesë”. Ja edhe Tagesshpil: “Diçka duhet të ndryshojë, ose ky turne do të përfundojë keq” “Di Velt” nga Hamburgu: Disa gëzojnë, të tjerët qajnë! “Kiker” raporton pakënaqësinë e Marko Rojsit që kishte dëshirë të luante titullar.

Edhe tabloidja “Bild” i mëshon këtij konflikti, duke zbuluar fjalët e Rojsit se trajneri i kishte thënë se do të ishte rezervë ndaj Meksikës, për të luajtur në ndeshjet e rëndësishme. Vetë Lëv i korrigjoi fjalët e Rojsit, duke thënë se edhe ndeshja ndaj Meksikës ishte e rëndësishme.  Trajneri premtoi se do të bëjë ndryshime dhe se skuadra e tij nuk e ka thënë ende fjalën e saj.

Gjermania e nisi me humbje Botërorin për herë të parë që nga viti 1982, por pikërisht ai edicion dha një mësim të madh. Edhe pse humbën me Algjerinë, gjermanët arritën në finalen e Kupës së Botës.

Sfidanti.al