Juvja ka Ronaldon, Junajtidi ka Fernandesin, Siti ka Ruben Diasin!

Sa shumë janë përhapur këta portugezët kohët e fundit? Jo vetëm kaq, por duket sikur kanë lindur me shiritin e kapitenit në krah, dhe nëse Juventusi ka Kristiano Ronaldon, Mançester Junajtidi ka Bruno Fernandesin, Mançester Siti sapo mori Ruben Diasin. Mbrojtësi 23-vjeçar i qendrës, i ardhur nga Benfika, cilësohet si një lider i lindur dhe si njeriu i duhur për të zënë vendin e ish-kapitenit Vinsent Kompani. Jo më kot Pep Guardiola shpenzoi 65 milionë paundë stërlina, mbi 73 milionë euro, duke thyer rekordin e transferimeve pr klubin.

Ruben Dias ka luajtur në kombëtaren e Portugalisë që 20 vjeç, ka qenë kapiten i ekipeve përfaqësuese të moshave, dhe po ashtu ishte kapiten i Benfikës edhe pse vetëm 23 vjeç. Me shtatlartësi 1.87 metra, ai ka edhe aftësinë në lojën ajrore që është shumë e rëndësishme në Premier Ligë. Po ashtu, ai është si zoti me topin në këmbë, dhe jo më kot ishte një nga dy lojtarët më të mirë të Superligës portugeze përsa i përket pasimeve. Diasi ishte lojtari më i ri në Kupën e Botës 2018, ndërsa Guardiola shpreson që ai të forcojë repartin e mbrojtjes që ka qenë shumë në vështirësi së fundmi.

Sfidanti.al