Në fushë ishin dy “gjyshër” dhe shumë “buzëqumësht” pasi gjashtë titullarë ishin me moshë nën 22 vjeç. Një Juventus të tillë përzgjodhi trajneri Andrea Pirlo për ndeshjen e Kupës ndaj Xhenoas dhe ndonëse u luajt në Torino, edhe kampionëve u takoi të vuanin, ashtu si edhe Milanit e Interit. Një Kupë me ndeshje me një takim të vetëm është diçka krejt tjetër nga formati klasik italian.
Kristiano Ronaldo, i aktivizuar vetën më 88’ nuk pati ç’të bënte tjetër përveçse të duartrokiste tunizianin 21-vjeçar Hamza Rafia, që pati debutimin prej ëndrrash me fanelën bardhezi. Vendasit e nisën shumë mirë ndeshjen në “Alianc” me golat e shënuar nga Kulushevsi e Morata, por Cibora ngushtoi shifrat dhe Melegoni realizoi një gol të shkëlqyer 15’ para fundit. U desh të vinte minuta e 105-të, pra koha shtesë që “Zonja e Vjetër” të arrinte kualifikimin”.
Pirlo vlerësoi të rinjtë dhe deklaroi se kishte mbetur i kënaqur nga prova e tyre, ndërsa Kristiano Ronaldo tregoi se mbetet një profesionist i madh, një manjak i futbollit, edhe kur luhet një ndeshje e të tetave të finaleve të Kupës së Italisë, edhe kur në krah ka lojtarë me moshë shumë më të re. Portugezi u zemërua keq për nja dy topa që duhej t’i ishin pasuar më mirë.
Sfidanti.al