Këta dy burra nuk mund ta kuptojnë jetën pa qenë në duel me njëri-tjetrin, qoftë edhe në distancë. Pasi u përplasën në Champions e në Superkupën e Europës, e pasi bënë sfidë në La Liga të Spanjës, ja ku jemi në Premier Ligën e Anglisë dhe përballja klasike Guardiola-Murinjo vazhdon. Mbrëmjen e fundit dy trajnerët patën fate të ndryshëm, ashtu si skuadrat e tyre. Mançester Siti fitoi edhe pse minimalisht 1-0, dhe u ngjit në vendin e tretë të Premier Ligës. Suksesi ishte ndaj Brajtonit në “Etihad” me golin e shënuar nga i riu Fil Foden në 44’. Në fund fare, në minutën e dytë shtesë, Rahim Stërling humbi penalltinë. Kjo fitore bëri që Siti të ngjitej në vend të tretë në Premier, me 32 pikë dhe me një ndeshje më pak, ndaj 33 të Liverpulit e 36 të Mançester Junajtidit. “E patëm të vështirë, – tha Guardiola, – nuk ka rëndësi çfare emri ke, çfarë potenciali ke dhe në çfarë vendi je, pasi ndaj Brajtonit të trajnerit Graham Poter është gjithnjë e vështirë. Jam i lumtur për Fodenin që po e fiton vendin në skuadër”.
Totenhemi nuk e pati zotësinë për të fituar këtë herë dhe Fulhami e bëri të ngecte në barazim në njërin nga derbet e shumtë të Londrës. Harri Kejn e shënoi golin e tij (25’), por Ivan Kavaleiro barazoi 16 minuta para fundit. Totenhemi mbeti në vendin e 6-të me 30 pikë në 17 ndeshje, pra në pozita jo shumë të mira në luftën për titull. “Në pjesën e parë, portier i tyre Areola bëri pritje të mëdha, po ashtu edhe pas pushimit, – tha Murinjo, – ne mund të kishim shënuar më shumë se një gol, ta kishim mbyllur ndeshjen, por pati gabime individuale, ndoshta mungesë ambicieje, por nuk mund të flas më shumë. Ne kemi bërë disa gabime në disa ndeshje, që duhej t’i kishim fituar. Gjithsesi, Fulhami është duke u treguar skuadër inteligjente, luajti mirë dhe unë duhet t’i bëj komplimente”.
Sfidanti.al