“Elefanti” mundet nga “miu”, Holshtajn Kil eleminon Bajernin nga Kupa!

“Gjylja e madhe plasi”, do të thoshte Kadri Roshi i shquar në rolin e Plakut Mere, nëse do të ishte ende gjallë. Një gjyle nga ato që trondisin një vend madhështor si Gjermania dhe madje gjithë Europën, pasi “peshkatarët” e Holshtajn Kilit eleminuan Bajernin gjigand nga Kupa. Skuadra modeste e kategorisë së dytë, që shumicën e historisë së 60 viteve të fundit e ka kaluar në ligat rajonale apo në kategorinë e tretë, sendërtoi bëmën pas penalltive dhe pas një ndeshjeje që do të mbetet në histori. Përfundoi 2-2 pas 90’, po kaq pas kohëve shtesë, ndërsa tek 11-metërshat vendasit e mbajtën gjakun të ftohtë dhe mendjen të kthjellët.

Realizuan gjashtë penallti radhazi, ndërsa për bavarezët gaboi i riu Roka në gjuajtjen e gjashtë. E gjitha kjo, ndërsa përpara portierit vendas Gelius u paraqitën radhazi emra imponues si Levandovski, Kimih, Tomas Myler, Alaba apo Dagllas Kosta. Që të gjithë shënuan, por jo Roka. Në krahun tjetër ishin futbollistë që thuajse nuk i njeh kush si Vahl, Arsllan, Serra, Sung, Hauptman apo Bartels. Ja ku erdhi edhe dështimi i parë si trajner për Hansi Flikun, që humbet njërin nga trofetë që e kishte si objektiv. Një ditë do të vinte padyshim, dhe ky Bajern e kishte treguar krizën me kohë, edhe pse Fliku hodhi në fushë një formacion shumë të fortë. Madje, është një eleminim që në turin e dytë, diçka që për bavarezët ndodh shumë rrallë. Gnabri kaloi Bajernin në avantazh në 14’, Bartels barazoi në 37’, Sane riktheu avantazhin mik në 48’, por Vahl barazoi në minutën e 5-të shtesë (90’+5).

Bajerni: Nojer, Sarr (Pavar 85’), Zyle, Hernandes, Dejvis, Toliso (Alaba 106’), Kimih, Musiala (Levandovski 74’), Tomas Myler, Sane (Dagllas Kosta 74’), Gnabri (Roka 90’+2). Tr. Flik

Sfidanti.al