Dikur, një rival si Zhoze Murinjo, deklaroi se ai dhe Antonio Konte dukeshin si adoleshentë, ndërsa shprehnin emocionet pranë vijave anësore të fushave. Portugezi e kishte fjalën edhe për Jurgen Klopin, i cili në atë kohë u përgjigj me një buzëqeshje, ndërsa tani u tall me vetveten pikërisht për sjelljen e tij gjatë ndeshjeve.
“Kur unë nis të bërtas anash fushës, ngjaj me një vrasës serial, – tha me të qeshur trajneri i Liverpulit, – ç’të bëj, kështu është fytyra ime, kërcëllij dhëmbët. Ndodh, që edhe kur vështroj fëmijët e kam fytyrën pikërisht kështu, dhe ndodh që fëmijët të qajnë, edhe pse unë mund t’i them fjalë të ëmbla”.
Duke bërë një krahasim me Guardiolën, Klopi u shpreh se “Pepi është emocional gjithashtu, por më i qetë se unë”. “Ai ngjan shumë më mirë se unë edhe kur bërtet, – vazhdoi Klopi, – Pepi duket si i përsosur, fytyra, trupi, veshja, gjithçka është perfekte. Për veten time, nuk është se e bëj me qëllim atë sjellje, por vjen vetvetiu”.
Sfidanti.al