“Makiazh” duelit të boksit në Las Vegas, me tifozë “veresie”!

Ishte e qartë që nuk do të mund të shitej si Ndeshja e Shekullit, por nuk priteshin kaq pak. Vetëm 3 577 bileta u shitën për duelin e Tajson Fjurit ndaj Oto Valinit në Arenën e Las Vegasit, edhe pse boksieri anglez vlerësohet si një nga më të mirët në botës, sot për sot. Publiku amerikan nuk “e bleu” reklamën që u bë, duke pritur një duel të madh Fjuri-Uajlder, ndërsa organizatorët u detyruan të bënin një truk.

Ata njoftuan se në sallë ishin 7 475 spektatorë, por sipas mediave nuk njoftuan se plot 3 998 bileta u dhanë falas për ta mbushur sa më shumë hapësirën e madhe. Arena mban 20 000 spektatorë, dhe pamjet me 3 500 njerëz aty brenda do ta dëmtonin imazhin e boksit profesionist. Në kontrast të plotë me ndeshjen e Fjurit, në maj, u shitën gati 17 000 bileta për ndeshjen e meksikanit Kanelo Alvarez ndaj Daniel Xhejkobsit.

Sfidanti.al