Junajtid po humb duelin e shpejtësisë me Sitin dhe Totenhemin

U deshën vetëm 11 sekonda që Kristian Eriksen të shënonte në portën e Mançester Junajtidit. U deshën vetëm 7 minuta që Zhoze Murinjo të ndërronte mendjen dhe të zëvendësonte Maruan Felainin, që sapo e kishte hedhur në fushë. U desh edhe shumë fat që “djajtë e kuq” të mos dilnin të mundur më keq se 0-2 nga stadiumi “Uembli” i Londrës.

Totenhemi u duk në një nivel tjetër, edhe pse të dyja skuadrat luajnë në Premier Ligë, kaq e madhe ishte epërsia e vendasve të nxitur nga rreth 82 000 tifozë në stadiumin mitik, një rekord i ri për ndeshjet shtëpiake të Spërsave.

Murinjo u duk i dëshpëruar dhe i rënë moralisht, ndërsa shpesh u ngjesh fort pas karrikes së tij në vendin e caktuar për Junajtidin. Totenhemi duhej të kishte fituar një penallti, ndërsa koreanojugori Son humbi një rast tepër të pastër, me Harri Kejnin që gjithashtu shpërdoroi disa mundësi.

Duket se Mançester Junajtidi po e humb duelin e shpejtësisë me ekipet më sulmuese të kampionatit. Totenhemi është vetëm 5 pikë larg dhe është shumë në formë, Liverpuli është 3 pikë larg dhe po ashtu duket tepër i shpejtë, ndërsa Mançester Siti është sërish 15 pikë i shkëputur.

Suksesi i “qytetarëve” ndaj Uest Bromit ishte krejtësisht logjik, në një ndeshje prej manuali. Fernandinjo shënoi golin e parë, me asist të De Brujnit, pastaj vetë De Brujn goditi shtyllën. Mesfushori sulmues belg, gjithsesi e gjeti rrugën e rrjetës në pjesën e dytë, ndërsa rekordmeni i golave të Sitit, Kun Aguero, realizoi të tretin. Man. Siti ka 68 pikë pas 25 javëve, dhe ka numrin më të madh të golave të shënuar në kampionatet e rëndësishëm në Europë, 73, gati 3 për ndeshje.

Rezultatet: Totenhem-Man. Junajtid 2-0, Man. Siti-Uest Brom 3-0, Çelsi-Bournemuth 0-3, Everton-Leister 2-1, Njukasëll-Bërnli 1-1, Sauthempton-Brajton 1-1, Stouk Siti-Uatford 0-0.

Renditja: Man. Siti 68 pikë, Man. Junajtid 53, Liverpul 50, Çelsi 50, Totenhem 48, Arsenal 42 etj.

Sfidanti.al