Strakosha e Donaruma, fituesit e vetëm të Milan-Lacios në Kupë

Tomas Strakosha dhe Xhixho Donaruma ishin fituesit e vetëm të një ndeshjeje jo edhe aq entuziazmuese për Kupën e Italisë, mes Milanit dhe Lacios. Ndryshe nga takimi i kampionatit, fituar 2-1 nga të zotët e shtëpisë, këtë herë milanistët nuk mundën të imponoheshin në “San Siro”. Përfundoi 0-0 dhe publiku sikur e ndjeu pasi ishin shitur vetëm 17 000 bileta, në një stadium që mban 80 apo 85 000.

Strakosha dhe Donaruma bënë pritje shpëtuese për ekipet e tyre, pritje të vështira, por jo të shumta, pasi dy ekipet nuk është se krijuan plot. Barazimi pa gola lë gjithçka të hapur për kualifikimin për në finalen e Kupës së Italisë, ndërsa në krahun tjetër Juventusi është në avantazh të rëndësishëm ndaj Atalantës. Kualifikimi do të vendoset në “Olimpiko”, dhe Lacio e Strakoshës padyshim që duhet parë si favorite, pasi luan në fushën e saj, edhe pse shifrat 0-0 e ndihmojnë disi Milanin.

Sfidanti.al