E vlerëson me emrin që i takon. Serbia dhe Zvicra luajnë sot një finale të vërtetë në Kupën e Botës, pasi njëri prej ekipeve është e sigurt që do të eliminohet që në grup. Ivan Gvozdenoviç, trajneri serb i Skënderbeut, dhe personazh i njohur i futbollit shqiptar, komenton duelin e orës 20:00. “Një finale për ne, sepse nuk jemi ne situatën më të mirë të mundshme dhe sot na bën punë vetëm fitorja, – thotë ai, – Një ndeshje e vështirë, presion shume i madh per kombetaren tonë, por unë në rolin e tifozit të Serbisë natyrisht që pres që ekipi sot të luajë shumë më mirë dhe që të fitojmë. Ndeshje interesante. Të shohim sesi do të përfundojë, por shpresoj që mund t’i marrim tri pikët”.
Në Botërorin e kaluar në Rusi kjo ndeshje pati polemika pas festimit me shqiponjë të Shaqirit dhe Xhakës. “Unë mund të flas vetëm për sportin dhe vetëm për futbollin, – u shpreh i rezervuar trajneri, – Nuk do të doja të komentoja atë që ndodhi në Rusi, aq më tepër në prag të kësaj ndeshjeje. Komenti im është vetëm që duhet të fitojë futbolli dhe që duhet të fitojë më i miri. Shpresoj që të jetë Serbia”.
Nga ekipet ballkanase, Kroacia u kualifikua, mos vallë është më e fortë se Serbia? “Pyetje e mirë, por e vështirë, – thotë me të qeshur, – Vështirë të them se Kroacia është më e fortë sesa Serbia. Por padyshim që ka më shumë përvojë, sepse ka më shumë lojtarë me përvojë që kanë kaluar shumë vite në nivele të larta. Për më tepër, ata kanë vite që luajnë bashkë. Po ashtu trajneri i tyre, Daliç, ka vite në drejtim të ekipit, është në ciklin e dytë botëror. Ne kemi ndryshuar këta vjet shumë lojtarë e shumë trajnerë”.
Cilët janë, sipas Gvozdenoviçit, pretendentët kryesorë në Botëror? “Me atë që kam parë, është e vështirë që në futboll të bësh parashikime, sepse nuk ka garanci, – nis ai analizën, – Gjithsesi, me aq sa kam parë deri tani, në raundin e parë, për mua ka dy favoritë. Këto janë Brazili dhe Franca. Natyrisht, më pas mundet që ndonjë ekip të shkaktojë edhe të papritura. Në futboll gjithçka është e mundur, por me aq sa kam parë më bindin më shumë Brazili dhe Franca, deri tani”.
Sfidanti.al