Italia “në humnerë”, por më optimiste se Panuçi!

“Në rregull, vogëlushë, mbrojtja dhe Xhixho (Donaruma) janë mirë, mungon vetëm diçka … golshënuesi”. Ky ishte një nga titujt e “La Gazeta delo Sportit” pas eleminimit të Italisë nga Liga e Kombeve. Portugalia ia doli të kualifikohej në “San Siro”, pas barazimit 0-0, ndërsa të kaltrit patën dështimin e dytë radhazi (i pari, në Botëror me Suedinë), por nuk u dukën aq keq me moralin sa tifozët e Shqipërisë, lojtarët e saj dhe trajneri i tyre, Kristian Panuçi.

“Italia është e bukur, por shpërdoruese, Portugalia në katërshen finale”, ishte titulli tjetër i gazetës së njohur milaneze. Roberto Mançini gjithashtu flet me optimizëm: “Dominuam në pjesën e parë, sulmi? Do të nisë të shënojë, keni për ta parë”. Mbrëmjen më të vështirë e kaloi mbrojtësi Lenoardo Bonuçi, i vërshëllyer rëndshëm nga tifozët e Milanit në stadium. “Mamaja e budallenjve është gjithnjë shtatzënë”, – ishte komenti i të rikthyerit juventin.

Sfidanti.al