Italia gëzon e tmerrohet nga festimi i tifozëve të Napolit, futbolli sfidon epideminë!

Një gjë e tillë pritej, dhe frika më e madhe ishte për këtë. Tifozët e Napolit nuk e vranë mendjen për asnjë sekondë për të respektuar rregullat e sigurisë lidhur me koronavirusin, por vetëm menduan të festonin si të çmendur menjëherë sapo skuadra e tyre fitoi Kupën e Italisë. Pas penalltisë së fundit shënuar nga Milik, qytetarët dolën nga shtëpitë e lokalet, për t’u grumbulluar nëpër rrugë e sheshe.

Qyteti i vjetër i Italisë së Jugut e humbi plotësisht qetësinë e natës, ndërsa mijëra njerëz nuk ruajtën asnjë distancim fizik, a thua se epidemia e koronavirusit ishte një histori e 100 viteve më parë, si, p.sh., gripi spanjoll. Epiqendra e festimeve ishte Sheshi Garibaldi, jo më kot luftëtari më i shquar për bashkimin e Italisë në shekullin e 19-të. Frika e munguar e napolitanëve kishte të bënte padyshim me lumturinë e madhe për kupën e 6-të të fituar nga skuadra e tyre e zemrës në histori, por edhe nga fakti se koronavirusi nuk ka qenë aq i egër në Italinë e Jugut.

Gjithsesi, kryetari i bashkisë së qytetit, Luixhi de Maxhistris, u shpreh i alarmuar nga grumbullimet, duke u shprehur se “mbrëmë natën fitoi koronavirusi, jo futbolli”. Edhe njëri nga kryetarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, italiani Ranieri Guerra, i quajti “fatkeqë” dhe “të çmendur” tifozët që dolën nëpër rrugë për të kremtuar suksesin e skuadrës së Xhenaro Gatuzos.

Kulmi arriti kur tifozët mësynë stacionin e trenit në Afragola, ku pritën mbërritjen e skuadrës nga Roma. Futbollistët ishin duke festuar për vete në trenin e shpejtësisë së lartë “Shigjeta e Kuqe”, që fluturoi me mbi 160 km në orë. Gjithsesi, kur mbërritën në stacion, ishte thuajse e pamundur për të vazhduar. Tifozët fillimisht bllokuan taksitë e porositura për lojtarët, pastaj i ndaluan përsëdyti, ndërsa po dërgonin në shtëpi yjet e skuadrës. Shpresa është që e gjithë kjo të mos rezultojë në rritje të numrit të të sëmurëve, pse jo edhe të vdekjeve.

Sfidanti.al