Që kampionët fituan, ky nuk mund të quhet lajm. As që ia dolën me shifrat e thella 3-0 në stadiumin e tyre “Etihad”, madje as që ky sukses u arrit ndaj një emri të shquar të Premier Ligës si Arsenali. Diskutimet apo polemikat në Angli nuk u lidhën aspak me golat e shënuar nga Rahim Stërling, Kevin De Brujn e Fil Foden, dhe as nga përjashtimi i zakonshëm me karton të kuq i mbrojtësit brazilian të Arsenalit, David Luiz.
Polemikat u krijuan në një ndeshje tjetër. Në stadiumin “Vila Park” të Birmingamit, skuadra mike, Shefild Junajtidi u vodh nga teknologjia pasi nuk iu dha një gol i pastër. Portieri vendas, Orjan Niland, hyri me gjithë top në portë, pas një krosimi nga jashtë zonës, i shtyrë nga një shok i ekipit, por për fatin e keq të Shefild Junajtidit, teknologjia e vijës fatale nuk funksionoi. Kjo ishte hera e parë që “syri i skifterit” gabonte në 9 000 ndeshje deri tani. Çfarë fati i keq!
Ish-gjyqtari i shquar anglez i FIFA-s, Mark Klatenburg, deklaroi se gabimi ishte i teknologjisë. “VAR-i duhej të kishte ndërhyrë, – shkruajti ai për “Deili Meilin”, – ata patën mundësinë të ndreqnin një gabim të teknologjisë, po nëpërmjet teknologjisë. Kjo është një situatë skandaloze”.
“Nuk e di se çfarë duhet të bëj, të qaj apo të qesh, – tha trajneri i Shefild Junajtidit, Kris Uajlder, – padyshim që topi hyri në portë, dhe vendimi që u mor nga i gjithë procesi i teknilogjisë ishte i gabuar. Arbitri më tha se mendonte se ishte gol, por duhej konfirmimi nga “syri i skifterit”. Mesa duket, shakatë tashmë kanë nisur”.
Shefild Junajtid është në garë për t’u kualifikuar në Champions, dhe sot do të ishte vetëm 2 pikë prapa Çelsit të vendit të katërt, nëse goli do të ishte akorduar. Aston Vila, ndërkaq, një emër i lavdishëm i futbollit anglez dhe europian, rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria.
Sfidanti.al