Dueli i deklaratave Gatuzo-Sarri, shtohen dyshimet për Mauricion!

Nuk është se u përballën me njëri-tjetrin në konferencat pas finales, por gjithsesi u duk si sfidë edhe në distancë. Fituesi i Kupës së Italisë, Xhenaro Gatuzo, mbetet i kënaqur pjesërisht edhe kur Napoli i tij, fiton, ndërsa shpjegon se përse kjo sjellje.

“Fitorja ishte e merituar, edhe pse shumë e vëshirë, – u shpreh Gatuzo, – ndaj Juventusit nuk mund të ishte ndryshe. Ishte shpërblimi i një pune të madhe që kemi bërë, dhe nëse punon, Zoti i futbollit të shpërblen. Ne jemi me fat që jemi në këtë sport, ndaj shpesh jam me nerva sepse kërkoj që të gjithë ta kuptojnë këtë dhe të japin maksimumin, me pasion, respekt dhe seriozitet”.

Po Sarri? Trajneri juventin e kupton se gjendja e tij është bërë tashmë më e rrezikshme. Në Torino duan trofe, dhe kur humb dy finale radhazi, askush nuk është i lumtur, ndonëse fati i tij do të përcaktohet nga kampionati dhe Championsi.

“Jemi të zhgënjyer që të gjithë, – u shpreh Sarri, – lojtarët, tifozët, klubi dhe unë vetë. Në këtë moment, nuk mund të thuhet më shumë. Do të flasim më vonë. Nuk ishim në formën më të mirë, pati lojtarë jo mirë fizikisht, ndonëse të gjithë thanë maksimumin. Na mbetet vetëm që të përqëndrohemi te kampionati”.

Mediat italiane lavdëruan Gatuzon e Napolin, ndërsa nuk kursyen aspak Sarrin dhe punën e tij tek Juvja.

“Napoli është e jotja, – ishte titulli i madh i “Il Korriere delo Sportit”, – Juve e mundur pas penalltive. Për Gatuzon, kupa e rilindjes. Presidenti De Laurentis: Rino ishte vendimtar!”

“Kupa Ringio, – shkruan “La Gazeta delo Sporti”, – gëzimi i Napolit fut në telashe Sarrin. Në “Olimpiko” Juvja mundet 4-2. Meritat e Rinos dhe pikëpyetjet për Mauricion!”

Së fundmi, gazeta torineze “Tutosport”, që në një farë mënyre përcjellje gjendjen shpirtërore tek “Zonja e Vjetër”, nuk kursehet: “Triumfi i Napolit, katastrofa e Sarrit! Juventus zhgënjyes, thuajse kurrë i rrezikshëm, Gatuzo fiton me meritë të plotë, Kupën e Italisë falë penalltive! i dyti dështim për objektivat sezonalë nga bardhezinjtë!”

Sfidanti.al