Interi nuk pranon 9 marsin, sfida e Serisë A me Juventusin “në ajër”!

Kur flet presidenti gjithçka ndryshon. Interi bën prapakthehu dhe refuzon të hënën e 9 marsit si datën e luajtjes së ndeshjes në fushën e Juventusit për Serinë A. Numri 1 zikaltër, Stiven Çang, bëri një sulm të ashpër, ndoshta të paprecedentë ndaj presidentit të Ligës Italiane të Futbollit, Dal Pino. “Lojra me kalendarin dhe vendosja e shëndetit të publikut në plan të dytë, – ishte deklarata e miliarderit kinez në rrjetet sociale, – ndoshta ju jeni klouni më i madh dhe më i zi që unë kam parë ndonjëherë! 24 orë? 48 orë? 7 ditë? Çfarë pritet tjetër? Cili është hapi yt i radhës?

Më herët, administratori i deleguar i Interit, Bepe Marota, e kishte quajtur propozimin për datën 9 mars si “të arsyeshëm”, ndonëse kishte rezervuar të përgjigjej përpara sesa të shikonte propozimet e tjera. Tashmë, klubi milanez është kundër 9 marsit, dhe nuk dihet se çfarë akordi tjetër mund të ketë. Liga e Futbollit dhe Federata Italiane kishin rënë dakord për orën 20:45 të së hënës së ardhshme, për të luajtur në stadiumin “Alianc” të Torinos, në prani të tifozëve.

Të gjitha ndeshjet e shtyra të javës së 26-të janë parashikuar të luhen nga e shtuna në të hënë, me shumicën të hënën, përfshi edhe Milan-Xhenoa, ndërsa javën tjetër do të ishin në program ndeshjet e turnit të 27-të. Ishte parashikuar një javë e ndërmjetme në 12-14 maj, për ta mbyllur kampionatin në 24 maj.

Akord edhe për gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë, Juventus-Milan. Dueli do të luhet këtë të mërkurë në orën 20:45, dhe është rënë dakord që të jetë në prani të tifozëve, por me një përjashtim. Në stadium nuk do të lejohen tifozë nga Lombardia, Veneto dhe Emilia Romanja. Gjithë ky kaos në futbollin italian është shkaktuar nga frika prej koronavirusit, ndërsa Italia është vendi europian më i goditur nga epidemia.

Sfidanti.al