Brdaric nis aventurën në Arabinë Saudite

Thomas Bërdaric ka zyrtarizuar destinacionin e ri në karrierën e tij. Trajneri gjerman është prezantuar si tekniku i ri i Al Bukiriah, skuadër që militon në kategorinë e dytë të futbollit në Arabinë Saudite.

Bërdaric i dha fund në mënyrë të befasishme aventurës me Malishevën, pavarësisht paraqitjeve pozitive të skuadrës kosovare. Ai u largua gjatë pushimit të fundit të kampionateve për kombëtaret, duke lënë pas një ekip që po zhvillonte një sezon mjaft të mirë. Me Bërdaric-in në stol, Malisheva ndodhej në vendin e dytë të renditjes, vetëm dy pikë larg Prishtinës kryesuese. Megjithatë, trajneri vendosi të pranonte ofertën nga Arabia Saudite dhe të hapte një kapitull të ri në karrierën e tij.

Një mision i vështirë në Arabinë Saudite. Sfida që e pret Bërdaric-in tek Al Bukiriah nuk do të jetë aspak e lehtë. Pas gjashtë javësh kampionat, skuadra saudite ndodhet në vendin e parafundit, me vetëm dy pikë të grumbulluara.