Insinje nuk lejon Anglinë të jetë 11 orë pa pësuar gol!

Rezultatet në ndeshjet miqësore nuk është se kanë ndonjë vlerë të madhe, por më shumë shikohen provat që bëjnë trajnerët. Kjo mund të thuhet edhe për përgatitoren Angli-Itali në “Uembli”, që përfundoi 1-1, dhe ku keqardhja më e madhe mund të jetë për vendasit që pësuan gol pas kaq kohësh.

Anglia e trajnerit Sauthgejt ishte ndëshkuar me rrjetë për herë të fundit në minutën e 3-të të ndeshjes ndaj Sllovakisë po në “Uembli” të vlefshme për eleminatoret e Kupës së Botës. Që nga minuta e 3-të e atij takimi luajtur në 4 shtator 2017, e deri në minutën e 87-të të sfidës ndaj Italisë, kombëtarja e “tre luanëve” kishte mbushur thuajse 630 minuta pa pësuar gol, pra më shumë se 10 orë. Diçka impresionuese, edhe tani që mori fund.

Mediat angleze u shprehën të kënaqura nga loja e skuadrës së tyre, pavarësisht se Çiro Imobile kishte disa raste, dhe se Lorenco Insinje barazoi në fund. Anglia ishte shumë më tepër ekip provash sesa Italia, duke nisur që nga portieri Batlend, tek debutuesi Tarkovski, tek Tripier, Lingardi që është ende i ri, Kuk apo i riu tjetër i Junajtidit, Rashford. Sauthgejt bëri 5 zëvendësime, dhe pas tyre loja e anglezëve ra.

Pati polemika të shumta në fushë dhe në media për akordimin e penalltisë nga gjyqtari Ajtekin, pasi u këshillua (me vonesë) me VAR-in. Sulmuesit italian, Kieza, iu shkel këmba nga Tarkovski, edhe pse u duk se ai nuk do ta kishte mbërritur topin gjithsesi. Këshilla e fundit e gazetave për Anglinë ishte: Në Rusi duhet të jesh edhe më mirë se kaq, dhe po ashtu VAR-i duhet të jetë më mirë se kaq!

Sfidanti.al