Shumë i sjellshëm dhe i edukuar, si dhe shumë klas. Isko Alarkon është i tillë edhe kur kritikon, edhe kur kërkon atë që e quan të drejtën e tij, duke u shprehur në një mënyrë që vështirë të krijojë konflikt. Gjithsesi, fjalët e tij pas fitores 6-1 të Spanjës ndaj Argjentinës nuk ishin gjë tjetër përveçse një “rebelim i butë” ndaj Zinedin Zidanit, trajnerit që ka tek Reali i Madridit.
“Trajneri i kombëtares ma tregon besimin që ka tek unë, duke më dhënë minuta për të luajtur, – u shpreh ai, – në Madrid nuk kam besimin për të cilin ka nevojë një futbollist, por ndoshta problemi jam unë që nuk ia kam dalë për ta fituar. Duhet, pra, që të vazhdoj të punoj, për të bindur Zidanin”.
“Kur nuk ke vazhdimësi në klub, atëherë janë ndeshjet e kombëtares që të mbajnë në jetë, – vazhdoi ai, – kam shumë dëshirë të tregoj edhe tek Reali se jam një futbollist i mirë”. Isko ishte një pjesë e Realit tek Spanja, së bashku me Ramosin, Karvahalin, Asension e Lukas Vaskezin, thuajse gjysma e ekipit, me më shumë peshë sot sesa lojtarët e Barcelonës, të cilët janë më pak (Pike, Zhordi Alba, Iniesta si dhe Buskets i dëmtuar).
Ylli madrilen, i formuar tek Benalmadena, Atletiko Benamiel, Valencia e Malaga, kaloi në 2013 tek Reali për 30 milionë euro, shifër e rëndësishme në atë kohë, por e papërfillshme sot. Ai ka fituar 12 trofe në Madrid (3 Champions), si dhe një titull europian me Spanjën U21. Ëndrra e tij tani është të fitojë Botërorin.
Sfidanti.al