Isko bën Mesin, Argjentina e vogël para Spanjës “galaktike”!

Nëse mund të zgjedhësh një tjetër ndeshje që të qendrojë pranë kësaj, ajo mund të ishte vetëm finalja e Europianit 2012 ndaj Italisë. Spanja fitoi atëbotë 4-1, ndërsa këtë mbrëmje shkatërroi Argjentinën emërmadhe 6-1 në stadiumin “Uanda Metropolitano” të Madridit. Thjesht një miqësore, padyshim, por ajo që ndodhi në fushë nuk ishte aspak diçka sa për të kaluar radhën.

Gjashtë gola të shënuar, kur mund të ishin realizuar edhe më shumë në portën e nënkampionëve të botës, treguan se Spanja e Hulen Lopetegit është të paktën në po atë lartësi si Spanja e Luis Aragonesit që hapi ciklin e madh në 2008, apo si ajo e zotërisë Visente Del Boske që fitoi Botërorin 2010 e Euro 2012-ën.

Nëse publiku madrilen ishte i mërzitur që nuk do të kishte fatin për të parë lojën e Mesit, në përfundim të sfidës, kjo mërzi nuk besohet se ekzistonte më. Mendoi Isko Alarkon për të bërë Mesin në tapetin e shkëlqyer të stadiumit të Atletikos, duke shënuar 3 gola, e duke asistuar një tjetër. Ndoshta e dashura ia ka pasur fajin që kishte rënë nga forma, por duket se tani ka “zënë mend” dhe trajneri i Realit, Zidan, duhet t’i japë po aq hapësirë sa Lopetegi.

Spanja nuk ishte vetëm Isko, sidoqoftë. Ishte edhe Iago Aspas që falenderoi trajnerin për shanset që po i jep. Ishte edhe Gerard Pike, i vërshëllyer në fillim, dhe i brohoritur kur u zëvendësua, padyshim një nga më të mirët në fushë, ashtu si shoku i tij tek Barça, Andres Iniesta. Ishte edhe Asensio, edhe Diego Kosta, edhe Karvahal, edhe Zhordi Alba, edhe Tiago Alkantara, Koke, Lukas Vaskes, por edhe “gardiani” i portës, De Gea.

Më në fund, ishin edhe Saul, Markos Alonso, Pareho, Azpilikueta si dhe strategu i tyre, Lopetegi. Nëse Gjermania cilësohet favorite për Botërorin dhe Brazili është favorit edhe për forcë zakoni, skuadra më autoritare duket gjithsesi kjo Spanjë. Askush nuk ka aq shumë personalitete sa ajo, dhe askush një lojë aq të rrjedhshme, bindëse, dhe çarmatosëse sesa “Furitë e kuqe”.

Sfidanti.al