Revansh i vogël, jo pak kur Brazili mund Gjermaninë në Berlin!

Seria prej 22 ndeshjesh pa humbje e pati fundin këtu. Gjermania e madhe do të mundej një ditë, dhe nuk qe aspak turp që e pësoi këtë nga një Brazil me emër po aq të madh (apo ndoshta edhe më shumë). Pesë herë kampionët e botës e morën revanshin e tyre të vogël, pas “katalizmës” 1-7 brenda në shtëpi, dhe ia dolën pikërisht në shtëpinë e kundërshtarit.

Goli i Gabriel Zhezusit vendosi fatin e sfidës në stadiumin “Olimpik” të Berlinit, me një skuadër braziliane me më shumë yje në fushë, dhe me kampionët e botës në versionin eksperimental. Tifozët e “Selesaos” mund të ndihen disi më të qetë, dhe futbollistët me më shumë besim ndërsa afron Botërori, pasi nuk është pak të mundësh Gjermaninë në Berlin.

Gjithsesi, edhe Joakim Lëv nuk duhet ta ketë humbur shumë qetësinë e tij të famshme, pasi ai ekip që hodhi në fushë nuk pritet të jetë plotësisht ai që do të synojë mbrojtjen e titullit në Rusi. Me portierin Trap, Zylen, Platenhartin apo edhe Gomezin, padyshim që rotacioni ishte i rëndësishëm.

A mund të thuhet se po kthehet Brazili i madh? Trajneri Tite aktivizoi lojtarët më të mirë që kishte, me përjashtim të Nejmarit të dëmtuar. Shikoni formacionin: Alison (mund të jetë edhe Ederson), Dani Alvesh, Tiago Silva, Miranda, Marselo, Fernandinjo, Kasemiro, Paulinjo, Uillian, Gabriel Zhezus, Kutinjo! Plot yje në vetëm një ekip, nga ata që luajnë për Barcelonën, Realin, Mançester Sitin, Çelsin apo Romën.

Gjithsesi, është shumë herët të vlerësosh me “notën 10” këtë ekip, dhe për ta krahasuar me atë të udhëhequr dikur nga Pele e Garinça, Sokrates e Ziko, Romario e Dunga, apo të kohëve më të fundit me Ronaldon, Ronaldinjon, Roberto Karlosin, Kafunë apo Rivaldon. Vetëm Botërori në Rusi do ta tregojë, por sidoqoftë, “Selesao” nuk i tremb më tifozët e saj, ashtu si në 2014-ën.

Sfidanti.al