E ka kaluar moshën normale të pensionit në futboll, ndërsa po i afrohet kuotës së 1 000 ndeshjeve. Luka Modriç ka gjithsej 930 ndeshje si lojtar duke nisur që nga viti 2003, ndërsa po luan sezonin e 21-të të “topkëmbës”. Goli i tij i mbrëmshëm në fushën e Austrisë ishte prova e radhës se ky personalitet nuk ka ndërmend “të plaket”. Falë edhe kontributit të madh të kapitenit, Kroacia zuri vendin e parë në grupin e saj, duke lënë prapa Danimarkën e Francën kampione të botës, e duke u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve. Përveç Modriçit, shënuan edhe Livaja e Lovren. Kapiteni ka gati 120 gola në karrierë, jo keq për një mesfushor që ka detyrë të krijojë dhe të ndihmojë të tjerët që të shënojnë, dhe pak e sheh portën personalisht. Ka edhe 144 asistë. Ylli 37-vjeçar ka 154 ndeshje për Kroacinë, që nga 2006-ta, me 23 gola e 24 asistë.
Sfidanti.al