Holifildi del në ring pas 10 vjetësh, a do ketë “triologji” me Tajsonin?!

Ndeshja do të jetë më shumë një shfaqje, dhe jo konkurrim i mirëfilltë. Nuk është e lehtë të jetë e tillë për një 58-vjeçar edhe kur flitet për një legjendë si Evander Holifild. Amerikani 58-vjeçar do të jetë në ring në 5 qershor ndaj irlandezit Kevin Mekbrajd. Ky i fundit është 47 vjeç, 11 vjet më i ri se Holifildi, dhe vlen të theksohet se mundi Majk Tajsonin në vitin 2005. Nuk dihet sesa para do të mblidhen për duelin mes tyre, por interesimi është i madh për të ditur nëse do të ketë një “triologji” mes Evander Holifildit dhe Majk Tajson, pasi ata u ndeshën dy herë në vitet 90-të. Në 1996, Holifildi fitoi me nokaut në raundin e 11-të, ndërsa në 1997 fitoi sepse Tajsoni u skualifikua pasi i kafshoi veshin. Për herë të fundit, Holifildi ka qenë në ring në 2011, kur ishte 48 vjeç dhe fitoi me nokaut teknik ndaj danezin Brian Nilsen. Legjenda amerikane është i vetmi në histori që ka qenë kampion absolut në peshat e mesme dhe të rënda të boksit profesionist, ndërsa bilanci në karrierë është 44 fitore, 10 humbje e një barazim.

Sfidanti.al