Hamilton kampion në kaosin e Meksikës, është legjendë britanike!

Ljuis Hamilton kaloi çdo legjendë britanike në Formula 1 duke fituar titullin e katërt botëror. Piloti i Mercedesit do të donte ta kishte harruar sa më shpejt Çmimin e Madh të Meksikës, ku doli vetëm i 9-ti në mes të një kaosi të papërshkrueshëm, veçse në të kundërt, do ta ketë si një kujtim gjatë gjithë jetës së tij, pasi pikërisht aty fitoi Botërorin.

Vendi i 9-të ishte plotësisht i mjaftueshëm, me Sebastian Fetelin vetëm të katërtin, dhe me diferencën  e pikëve që u bë 56 pikë, ndërsa mbeten edhe dy gara deri në fund, pra edhe 50 pikë. Hamilton e mbylli me 333 pikë, dhe padyshim do të kërkojë të fitojë dy Çmimet e Mëdha që janë ende në kalendar.

Sër Xheki Stjuart, ish-rekordmeni britanik me 3 tituj, ishte në cirkuit, ku ndoqi Hamiltonin të fitonte titullin e katërt, ndaj 3 të tijve, ndërsa skocezi kurrë nuk ka qenë një mik me anglezin. Gjithsesi, Stjuart pranoi se “Hamilton është një kampion i vërtetë”. Ljuisi 32-vjeçar u barazua me Sebastian Fetelin dhe Alen Prostin, ndërsa la prapa një legjendë të jashtëzakonshme si Airton Sena. Përpara tij mbeten vetëm Huan Manuel Fangio (5 titujt) dhe Mikael Shumaher me 7.

Hamilton i ka fituar kampionatet në 2008, 2014, 2015 dhe 2017

Starti i garës ishte dramatik me Verstapenin që kaloi Fetelin dhe po ashtu me Hamiltonin që doli përpara gjermanit, veçse aty tre makinat e para patën kontakt. Nuk i ndodhi gjë Verstapenit dhe Red Bullit, por Hamilton e Fetel shkuan në bazë, ndërruan gomat, ndërruan “hundën” e makinave, dhe u kthyen në garë. Pasoi një ndjekje e vështirë në një pistë që nuk të jep shumë mundësi parakalimi, me Fetelin që duhej të dilte të paktën i dyti, ndërsa kur Hamilton kapi vendin e 9-të, gjermani duhej ta fitonte garën. Kjo i hoqi çdo kuptim konkurrimit të mëtejshëm, ndërsa në podium dolën Verstapeni 20-vjeçar (fitorja e tretë në karrierë), Valteri Botas (Mercedes) dhe Raikonen (Ferrari). Fetel vendosi rekordin e pistës me xhiron më të shpejtë në histori, me 1’18”785. Për t’u kryer janë edhe Çmimi i Madh i Brazilit në 12 nëntor, dhe ai i Abu Dabit në 26.

Sfidanti.al