Hamilton fiton në Meksikë, por nuk del dot kampion bote!

U përplas që në fillim me Maks Verstapenin, por i mbijetoi aksidentit për të përfunduar si fitues. Çmimi i Madh i Meksikës i përkiti Ljuis Hamiltonit, edhe pse jo titulli botëror, pasi shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas, doli i treti. Anglezit i duheshin 14 pikë më shumë sesa finlandezi, por mundi të fitonte vetëm 10. Gjithsesi, në garën e radhës, në SHBA, është thuajse e sigurt që Hamilton do ta fitojë titullin e 6-të, për t’u shkëputur nga legjenda Fangio, e për t’iu afruar fare pranë legjendës tjetër, Mikael Shumaher që ka 7 kampionate.

Hamilton zbriti në vend të pestë pas kontaktit me Verstapenin, por strategjia e tij me një ndalesë për të ndërruar gomat e bëri fitues. Po ashtu, e ndihmoi makina Mercedes sërish në formë të madhe, gjë që u tregua edhe nga fakti se Botasi doli i treti. Sebastian Fetel përfundoi i dyti për Ferrarin, por Sharl Lëklerku doli vetëm në vend të katërt, edhe pse u nis nga pole positioni. Gara ishte shumë e fortë, dhe 4 vendet e para u ndanë nga vetëm 6 sekonda. Kjo ishte fitorja e 83-të e Hamiltonit në karrierë, dhe tani 34-vjeçari është shumë më pranë Shumaherit që mban rekordin me 91 suksese.

Hamilton kryeson renditjen e Botërorit me 363 pikë, ndaj 289 të Botasit. Mercedes është shpallur që më parë kampion i botës për skuadrat dhe kryeson me 652 pikë ndaj 465 të Ferrarit.

Sfidanti.al