Roma mund Milanin, por Atalanta është sërish e papritura e Italisë!

Nuk pati ndryshime në renditjen e Serisë A, pas javës së 9-të, ndërsa më shumë përfituan “ekipet e radhës së dytë” si Roma dhe Atalanta. Këto të dyja fituan, në një fundjavë kur Juventusi, Interi dhe Napoli u mbajtën në barazim nga kundërshtarë më modestë. Pasi kampionët me milanezët gabuan të shtunën (përkatësisht me Leçen e Parmën), ja ku u dorëzuan edhe napolitanët, që nuk shkuan më shumë se 1-1 në fushën e Spalit. Goli i Arkadiush Milikut nuk mjaftoi.

Roma “mori kuotë” pas fitores 2-1 ndaj Milanit, me golat e shënuar nga Edin Xheko në pjesën e parë dhe Nikolo Zaniolo pas pushimit. Teo Hernandez, spanjolli i përhershëm, barazoi përkohësisht për kuqezinjtë, që ende nuk e njohin fitoren me trajnerin e ri, Stefano Pioli (barazim, humbje). Sidoqoftë, edhe këtë sezon, skuadra për t’u veçuar është Atalanta.

Bergamaskët triumfuan 7-1 ndaj Udinezes, duke përfituar nga epërsia numerike dhe tani kanë 28 rrjeta të realizuara, më shumë se cilido ekip tjetër i kampionatit. Interi i Kontes ka arritur deri në 20. Tri herë shënoi Luis Muriel, dy herë Iliçiç, nga një gol e patën Mario Pashaliç dhe Amad Traore. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, luajti titullar për Atalantën dhe mori të verdhë. Në renditje, Juvja ka 23 pikë ndaj 22 të Interit, ndërsa Atalanta është në vend të 3-të me 20 pikë.

Sfidanti.al