Hakmarrja e uellsianit, Arsenal do të pendohesh për Ramsejn

Është një lojtar që gjithnjë i ka ndarë tifozët në dy kampe të kundërt, adhuruesit dhe ata që nuk e donin. Aron Ramsej tek Arsenali dhe tek Uellsi ishte një talent i padiskutueshëm, por jo i tillë për të bindur plotësisht për madhështinë e tij. Në moshën 28-vjeçare nuk ka arritur asgjë të madhe me “topçinjtë”, përveçse që ka fituar disa kupa në Angli, ndërsa me Uellsin u bë legjendar në Euro 2016, duke arritur në gjysmëfinale, e duke qenë pjesë e formacionit të Europianit.

Juventusi nuk ngurroi t’i jepte një rrogë prej gati 21 milionë eurosh në sezon, duke e bërë lojtarin më të paguar britanik të të gjitha kohëve (nëse merret për bazë vetëm paga). Përse kjo diferencë e madhe në vlerësimin e Arsenalit dhe Juventusit?

Analistët theksojnë se Ramsej vuajti krizën e londinezëve në vitet e fundit të Arsen Vengerit dhe tani me Unai Emerin, ndërsa sezonin e fundit u la jashtë skuadre sepse nuk pranoi ofertën e re të Arsenalit. Ish-lojtari i Uellsit, Roberts, thotë se stili më i qetë i Serisë A do të jetë shumë më i përshtatshëm për Ramsejn, ashtu siç thotë edhe ish-ylli trajneri i Realit dhe i Uellsit, Xhon Toshak. Ata thonë se Arsenali do të pendohet për humbjen e tij, madje edhe Premier Liga angleze.

Sfidanti.al