Garet Bejl, përse je kaq i keq për të mësuar gjuhët e huaja?!

Nëse do të zbatohej edhe në futbollin profesionist rregulli që ekziston për emigrantët në shumë vende të botës, ai do të ishte larguar “me ceremoni” nga Spanja. Për fat, Garet Bejli nuk është një refugjat i mbytur nga hallet, por një ish-rekordmen i transferimeve në futboll, dhe një nga lojtarët më të paguar të botës.

Gjithsesi, duket e çuditshme ajo që thotë Marselo, shoku i tij tek Reali, se uellsiani ende nuk e ka mësuar siç duhet gjuhën spanjolle. “Ne merremi vesh me shenja, – tha braziliani duke qeshur, në një emision televiziv, – Bejli flet vetëm anglisht dhe ne nuk kemi rrugë tjetër për të komunikuar”.

Bejli ka 6 vjet në “Bernabeu” një kohë më shumë se e mjaftueshme për të mësuar një gjuhë, ndërsa ende mund të pyesësh me habi sesi ia bën në intervistat e detyrueshme me mediat në Spanjë apo në Champions? Mos vallë, Marselo e ekzagjeron? Nuk duket edhe aq dhe braziliani sqaron se “Bejli është karakter i mbyllur, që nuk përshtatet mirë me grupin”. Kjo është një arsye më shumë që ai të largohet nga Reali.

Sfidanti.al