Gnabri është një gjeni, por mbrojtja e Gjermanisë është një tmerr!

Si i thuhet në këto raste, është bërë si “han pa porta”. E tillë loja në prapavijë e katër herë kampionëve të botës që u ndalën në barazimin e tretë në 4 ndeshje të Ligës së Kombeve, 3-3 ndaj Zvicrës. U desh madje një perlë e Serg Gnabrisë së Bajernit që të shpëtohej pika, ndërsa zviceranët e torturuan mbrojtjen e ekipit të Joakim Lëvit. E sigurt që kritikat do të jenë “breshër”, ndërsa nuk dihet se kur kjo Gjermani mund të jetë ajo e dikurshmja kur ishte shumë e vështirë t’i shënoje. Gavranoviç shënoi për miqtë që në minutën e 5-të, Frojler dyfishoi në të 26-ën.

Në sulm, gjermanët janë “marshalla” dhe Timo Verner e Kai Haverc, me këtë të fundit që shërbeu edhe asistin për golin e sulmuesit të Çelsit. Gjithsesi, mbrojtja “teutone”  u dorëzua përsëri në 57’, vetëm dy minuta pas barazimit kur Gavranoviç shënoi përsëri. U desh mrekullia e Gnabrisë, goli me thembër që të vendosej barazpesha, ndërsa të besuarit e Lëvit nuk bënë dot gjë në 30 minutat e mbetura. Jo vetëm kaq, por Zvicra pretendoi për 2-3 penallti, ndonëse gjyqtari pati mendim tjetër. Toni Kros ishte madhështor në jubileun e ndeshjes së 100-të për Gjermaninë. “Gol ëndrras, por kaos në mbrojtje”, – titulloi “Bildi”.

“Patëm aksione shumë të mirë përpara, por bëmë një apo dy gabime në mbrojtje, – analizoi Joakim Lëvi, – është pjesë e procesit. Nga gabime të tilla, ne do të dalim më të fortë”. “Nuk dua të analizoj gjithçka, por mendoj se jemi në rrugën e duhur, – theksoi Kimih, – duhet të punojmë edhe më shumë që ta shfrytëzojmë më mirë potencialin që kemi”.

Sfidanti.al