Shumaheri apo Hamiltoni, Feteli dhe Xheki Stjuart “ulin” anglezin!

Ndoshta nuk duhet përdorur kjo shprehje, pasi nuk i përgjigjet së vërtetës, por duke qenë në gazetari jemi të prirur për tituj që “godasin”. E vërteta është që Sebastian Feteli dhe Sër Xheki Stjuarti nuk ishin në krahun e Ljuis Hamiltonit, kur erdhi puna te krahasimi i më të mëdhenjve të historisë në Formula 1. Feteli, katër herë kampion i botës, theksoi se “unë e respektoj shumë Hamiltonin dhe gjithçka që ai ka bërë, por Shumaheri ishte i veçantë, kishte një talent që ishte e vështirë ta shpjegoje, dhe unë nuk kam parë asnjë tjetër që t’i ngjajë atij në Formula 1”.

Sër Xheki Stjuart argumentoi se Hamiltoni është i mbështetur nga një makinë Mercedes që është superiore ndaj gjithë të tjerave. “Për këtë arsye, unë nuk e përfshij Hamiltonin as në treshen e parë të historisë”, – theksoi veterani. Me gjasë, më të mirët duhet të përzgjidhen mes Shumaherit, Airton Senës, Alen Prostit dhe Huan Manuel Fangios. Gjithsesi, këto fjalë të Stjuartit nuk i pëlqyen Hamiltonit, i cili deklaroi se “disa pilotë të vjetër nuk janë mirë nga trutë”.

Sfidanti.al