Gjyqi nxjerr fajtor Rui Pinton, njeriun që zbuloi të palarat e futbollit!

Vendimi pritej, madje ky vjedhës modern e kishte shprehur shqetësimin e tij se mund të tentonin ta vrisnin në Portugali. Një gjykatë portugeze në Lisbonë e nxorri fajtor Rui Pinton, njeriun që vodhi sekretet e botës së fuqishme të futbollit, dhe si pasojë e aksioneve të tij, publiku mësoi disa të vërteta të rëndësishme që “ia hoqën petët lakrorët”. Pintos iu hodh poshtë apelimi, dhe ai do të gjykohet për 90 veprime që quhen krime, mes të cilave vjedhja e të dhënave sekrete (haking – hacking), sabotim dhe shfrytëzim.

Siç e thamë, vendimi pritej, dhe kjo hodhi një dyshim jo të vogël në integritetin e një gjykate në një vend të Bashkimit Europian, por gjithsesi nuk është se u habit kush. Interesat e prekura ishin shumë të mëdha, ndaj edhe 31-vjeçari ishte bërë armik me njerëz të fuqishëm. Gjithsesi, historitë e tij tashmë janë botuar në mediat gjermane (Der Shpigel), dhe asnjë gjykatë në botë nuk mund t’i largojë ato nga dijenia e publikut. Ndoshta, Rui Pinto mund të dënohet, por publiku pret dhe është i bindur se një tjetër “Robin Hud” do të dalë në skenë. Sa për rrezikun, mjaftojmë të kujtojmë fjalët e gazetarit të famshëm britanik të shekullit të 18-të, Xhon Uilkes, që shpesh dënohej me burg se nxirrte të vërteta që “digjnin”. i pyetur nga Madamë Pompaduri, e dashura e Luigjit të XV-të, se “deri ku arrin liria e shtypit në Angli”, Uilkesi iu përgjigj: “Unë pikërisht këtë po përpiqem të vërtetoj, e nderuar Zonjë”!

Sfidanti.al