Gjokoviç fiton Uimbëlldonin e 7-të dhe Grand Slemin e 21-të në karrierë!

Sfida ishte e fortë dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe kur luhet në Arenën qendrore në Londër. Gjithsesi, njeriu i Uimbëlldonit, ai që po shkon drejt rekordeve, pra Novak Gjokoviçi, ia doli që ta fitnte finalen e radhës. Ai ka humbur vetëm një herë këtu, ka fituar 7 tituj bashkë me këtë të sotmin duke qenë vetëm 1 trofe larg rekordit të Rozher Federerit, dhe vetëm një Grand Slem larg rekordit të Rafael Nadalit që ka 22. Tenisti serb arriti në 21!

Në finalen londineze ai u nis keq ndaj Nik Qiriosit, siç i ka ndodhur disa herë këtë sezon, duke humbur setin e parë 4-6, por duke fituar tre setet e tjerë 6-2, 6-4 e 7-6. Një finale e bukur dhe me nivel të lartë, pasi australiani më në fund tregoi se po arrin pjekurinë e plotë tenistike. Gjokoviçi ishte numri 1 i turneut dhe mori një shpërblim të madh pasi nuk u lejua që të garonte në Australian Open sepse nuk ishte i vaksinuar, dhe pasi u eliminua nga Nadali në çerekfinalet e “Rolan Garosit” në Paris. Tenisti serb bëri vetëm 17 gabime dhe fitoi pas 3 orëve dhe 1 minute. Tashmë, 35-vjeçari shpreson të mos ndalet, ndonëse nuk dihet nëse do të mundet të marrë pjesë në US Open në Nju Jork sepse edhe atje rregullat për koronavirusin vazhdojnë të jenë të forta.

Sfidanti.al