Tenisti më i mirë i botës e realizoi misionin e tij, edhe pse e ardhmja është ende përpara. Novak Gjokoviç triumfoi në Uimbëlldon, duke mundur në finale italianin Mateo Berretini, e duke u barazuar me dy legjendat e gjalla, Rozher Federer e Rafael Nadal, me nga 20 Grand Sleme secili. Numri 1 në rruzull triumfoi 3-1 me sete, me rezultatin 6-7, 6-4, 6-4 e 6-3 pas 3 orëve e 22 minutave. Një finale e gjatë, por jo maratonë siç ka ndodhur kur Gjokoviç ka luajtur me Nadalin dhe Federerin. Nole do të përpiqet të ketë 21 Grand Sleme, pra të ketë rekordin botëror krejt të vetin në Çmimin e Madh të ardhshëm, në US Open.
Imagjinoni, tre tenistë me nga 20 Grand Sleme, dhe që janë ende në aktivitet, diçka që nuk ka ndodhur kurrë. Pas tyre, legjenda Pit Sampras u ndal në 14 Grand Sleme dhe atëherë dukeshin shumë. Gjokoviç iu afrua Samprasin në Uimbëlldon me titullin e 6-të, dhe ndodhet dy trofe prapa rekordit të Federerit (8). Me gjasë, do t’ia dalë vitin e ardhshëm. “Tre musketierët” e tenisit janë të moshuar sot, ndonëse në moshën më kritike është Federer, muajin tjetër 40 vjeç. Gjokoviç është 34 vjeç, ndërsa Nadal 35.
Sfidanti.al