Nuk u ndeshën në një finale Grand Slemi, por për admiruesit e tenisit botëror kjo nuk pati rëndësi. Ishte një sfidë monumentale ajo e turneut Open në Katar, mes Novak Gjokoviçit dhe Andi Marrejt. Pas disa disfatave të vitit 2016, dhe pas humbjes së “skeptrit” si lideri i renditjes botërore, tenisti serb mori një revansh. Pas gati 3 orësh luftë, ai triumfoi 2-1 me sete, me rezultatin 6-3, 5-7, 6-4, ndonëse britaniku mbetet numri 1 në planet dhe padyshim ka synim kryesor Grand Slemin e parë të vitit, Australian Open në Melburn.
Gjokoviç luajti shumë më mirë sesa në finalen e fundit mes tyre në Londër, ku u mund në dy sete, madje pati nivel tepër më të lartë sesa në gjysmëfinalen aty në Katar, që ndershmërisht duhej ta kishte humbur ndaj spanjollit Fernando Verdasko. Përballja pati cilësi dhe tension, ndërsa Gjokoviç pritet të ketë një plus të rëndësishëm psikologjik në Australian Open. Kjo ishte një reagim ndaj kritikave dhe humbjeve të fundit, me ish-trajnerin e tij, Boris Beker, që u shpreh se “loja e Novakut në finalen e Londrës ishte më e keqja në 3 vjet që punojmë bashkë”. Të shikojmë se çfarë do të bëjë 12 herë fituesi i Grand Slemeve tani pas ndarjes nga trajneri gjerman.