Njeriu ka shumë dëshirë të tregojë atë që ka arritur të bëjë, kuptohet flitet për sukseset. Kristiano Ronaldo, pavarësisht se mjaft i talentuar dhe shumë i pasur, nuk i shmanget dot kësaj pjese të natyrës njerëzore, dhe padyshim ai ishte tepër krenar ndërsa përgatitej të fillonte ndeshja Real Madrid-Granada në “Santiago Bernabeu”.
Ylli madrilen kishte veshur për herë të parë këpucët e tij speciale të markës Najk (Nike), këpucë që kompania e madhe amerikane i ka përgatitur veçmas për të. Bëhet fjalë për këpucë të lara në ar, të quajtura “Merkurial Superflaj CR7 Vitorias” (Mercurial Superfly CR7 Vitorias). Me këpucë të tilla, ai arriti të shënonte një gol në fitoren 5-0 të skuadrës së trajnerit Zidan ndaj ekipit të parafundit në tabelën e La Ligës.
Përpara sfidës, e para në kampionat për këtë vit, Ronaldo i prezantoi publikut në stadium katër Topat e Artë që ai ka fituar në karrierë. Vërtet një ditë për t’u mbajtur mend për futbollistin e përzgjedhur si më të mirin e botës vitin e kaluar.