Nuk ka luajtur keq, por jo si në nivelin që tregoi tek Napoli. Gonzalo Higuain, gjithsesi, ka shumë besim se do të realizojë atë që kërkohet prej tij dhe se do të përballojë peshën e rëndë të transferimit të tij nga “San Paolo” në stadiumin “Juventus”. “Dua t’i tregoj të gjithëve se e vlej atë shifër që është shpenzuar për mua, – shprehet sulmuesi për revistën kanadeze “Soker 360 Magazin” (Soccer 360 Magazine), – kjo do të thotë se duhet të fitojmë trofe dhe tani jemi në fazën më të rëndësishme të sezonit. Shpresoj të jem prortagonist në fitoret”.
Argjentinasi ka shënuar 13 gola në 22 ndeshje deri tani në gjysmën e parë të sezonit (10 në Serinë A), ndërsa duket larg asaj që bëri edicionin e kaluar për Napolin kur realizoi 36 gola në 35 ndeshje në kampionat, dhe 38 gola gjithsej në 42 takime. “Objektivi kryesor është Liga e Kampionëve, – thotë Higuain pa e prishur terezinë, – e dimë se do të jetë shumë e vështirë, por duhet të besojmë se të provojmë për ta fituar. Kur fillojnë ndeshjet me eleminim e kupton se nuk je larg nga finalja”. “El Pipita” quan Barcelonën, Realin, Bajernin, por edhe Mançester Sitin si rivalët më të fortë.
Në fund një batutë për Mesin. “Nuk vlen të flasim për rëndësinë e Mesit, – tha Higuain, – Leo është lojtari më i mirë në botë. Do ta ndihmojë edhe kombëtaren tonë për të arritur objektivat”.
Sfidanti.al