Gjermania humbi, por a japin shpresë kampionët e botës?!

Sa herë ka dështuar kjo skuadër në Botërorë? Padyshim tepër rrallë, aq sa numërohen me më pak se gishtat e njërës dorë, por për Gjermaninë ka një histori që nuk do t’i pëlqejë. Kur në vitin e Botërorit, numri i fundit është 8, zakonisht nuk ia ka dalë, ndërsa këtë herë dështoi ndaj Meksikës. Në 1938, 1978 dhe 1998, nuk ia ka dalë të futet mes katër më të mirave të botës, ndërsa ky Botëror është në vitin 2018.

Ndaj Meksikës, kampionia e botës nuk shqetësoi shumë se humbi, por sepse në radhë të parë nuk luajti si Gjermania. Tepër larg formës që pati në Brazil, me lojtarë të rëndësishëm të larguar si Klose apo Lahm, dhe me disa të tjerë jo në maksimumin e formës, si Boateng, Kedira apo Ozil. Shtoi kësaj edhe mungesën e përvojës së sulmuesit kryesor Verner, dhe moshën disi të shtyrë të Tomas Mylerit, dhe na del pasqyra e formacionit që hodhi në fushë trajneri Joakim Lëv.

Meksikanët e merituan fitoren pasi luftuan më shumë, fituan dyluftime dhe e patën gati çdo herë kundërsulmin. Kështi erdhi goli i shënuar nga Hirving Lozano. Nëse amerikanojugorët nuk shënuan më shumë, kjo ndodhi sepse lojtarët e saj disa herë u treguan egoistë, dhe gabuan në pasimin e fundit.

A pritet të reagojë Gjermania? Padyshim që po, veçse ndoshta mund t’i duhen Marko Rojsi e Ilkai Gyndogani, që këtë herë e nisën nga stoli. Në fund të fundit, nuk është se gjermanët nuk luajtën. Ata dominuan zotërimin e topit, patën 8 korne ndaj 1 të Meksikës, dhe gjuajtën shumë më tepër drejt portës, por u dukën jo në formë dhe jo me ambicien e duhur. Ndoshta, kjo disfatë do t’i zgjojë, por e sigurt është se nuk kemi të bëjmë me Gjermaninë e 2014-ës.

Sfidanti.al