Futbolli sërish në plan të dytë, dhuna dominon dhe në Francë!

U shty për 46 minuta, por më në fund u luajt deri në mbyllje. Ky ishte fati i përballjes Lion-Beshiktash në çerekfinalet e Ligës së Europës, e cila i mbeti “besnike” etiketës që pati si “ndeshje e rrezikshmërisë së lartë”. Tifozë turq e francezë u përleshën përpara fillimit të takimit, jashtë stadiumit të Lionit dhe brenda tij, ndërsa autoritetet bënë çmos për të rivendosur rregullin.

Fotoja tregon momentin kur një huligan vendas sulmoi disa tifozë krejt normalë turq, duke rrezikuar madje një vajzë të vogël, që arriti të shpëtohej nga të tjerët. Ultrasit e Beshiktashit po ashtu shkaktuan turbullira nëpër qytet përpara orës së fillimit të ndeshjes, me dhunën që vazhdoi edhe brenda impiantit francez. Në një moment, mjaft tifozë të Lionit u detyruan të hynin në fushë për të shpëtuar nga tymueset, shashkat dhe objektet e hedhura nga tifozë turq në pjesën e sipërme të stadiumit.

Në një periudhë krize ekonomike, janë rritur mëritë mes popujve të ndryshëm, po ashtu edhe antipatia ndaj emigrantëve. Kjo, ndërsa Fronti Kombëtar po fiton terren në Francë, ndërsa në Turqi pritet të zhvillohet referendum për t’i dhënë më shumë pushtet Erdoganit. Një gabim në shpërndarjen e biletave shtoi konfuzionin në Lion, ndërsa rreth një e treta e 60 000 tifozëve në stadium ishin turq.

Vetë ndeshja përfundoi 2-1 për francezët. Beshiktashi kaloi në epërsi me golin e Rajan Babelit në 19’, por Toliso barazoi në 83’ dhe Morel përmbysi shifrat në 85’.huliganet lion1

Sfidanti.al