Futbolli ka nevojë për më shumë “të çmendur” si Klopi

“Ka trajnerë që sillen si adoleshentë në vijën anësore”, ishte karakteristika e Zhoze Murinjos për Jurgen Klopin (edhe për Antonio Konten). Gjermani nuk u mor fare për t’iu përgjigjur (ndryshe nga italiani), dhe duket se batuta i pëlqeu e nuk u ofendua aspak. “Psikopati” i Liverpulit kurrë nuk e ka fshehur natyrën e tij, duke e treguar açik, në dritë të diellit, apo nën dritën e prozhektorëve, ndërsa sjellja e tij prej “të çmenduri” ka krijuar skuadrën më shkatërruese të Europës.

Liverpuli i Klopit është një ciklon që në kulmin e tij fshin nga faqja e dheut çdo kundërshtar, siç e tregoi me Mançester Sitin, me Porton apo me Romën, dhe nuk do të kishte problem ta bënte edhe me superfuqitë Barcelona apo Real Madrid. Stili i lojës së tij ka efektin e një droge mbi ata që e shohin ndeshjen, lojtarët e tij sillen si të tërbuar, dhe ajo që Klop kërkon vazhdimisht, i konsumon pa fund yjet e tij, pasi mund të luhet vetëm me mobilizim maksimal në çdo moment.

Nuk dihet nëse Liverpuli i gjermanit do të arrijë në finalen e Championsit, dhe nëse do ta fitojë atë, nuk dihet nëse sezonin e ardhshëm do të jetë në gjendje të pretendojë fitoren e Premier Ligës, por pa as më të voglin dyshim, futbolli ka nevojë për më shumë të çmendur si Jurgen Klopi. Kjo ishte batuta më e bukur e mbrëmshme nga një tifoz në rrjetet sociale.

Sfidanti.al