FSHF zbulon “pa dashur” se ndeshja Kastrioti-Laçi u manipulua!

Një ngjarje e rëndë ka tronditur nga themelet futbollin shqiptar. Tashmë Superliga nuk luhet vetëm në fushë, ndërsa topi kalon te organet ligjzbatuese, policia dhe prokuroria. Gjithçka nisi me njoftimin e Federatës, që vetëm pak para ndeshjes Kastrioti-Bylis për javën e 28-të, vendosi anulimin e saj. Shkak, kërcënimi me jetë i arbitrave, që nuk pranonin të gjykonin sfidën. Por kjo ngjarje bëhet skandaloze, pasi në rreshtat e njoftimit të Federatës, zbulohet si si një javë më parë ishte kërcënuar edhe arbitri i ndeshjes mes Kastriotit dhe Laçit, madje si pasojë e presionit është anuluar edhe një gol.

Burime pranë policisë tregojnë se denoncimi është bërë nga arbitri Juxhin Xhaja, menjëherë pasi familja e tij ka marrë kërcënime serioze. Vetë arbitri dhe familjarët e tij kanë dhënë dëshminë e tyre, ndërsa policia po heton edhe në lidhje me ngjarjen e një jave më parë të zbuluar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kështu, janë marrë pamjet e ndeshjes, por edhe incizimet audio të kryesorit Bajramaj me sistemin VAR gjatë ndeshjes së javës së shkuar mes Kastriotit dhe Laçit. Po ashtu, në lidhje me këto ngjarje do të shprehet edhe Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Sfidanti.al