Me mungesa, pa para në xhep dhe me borxhe, i tillë ka qenë dhe mbetet Flamurtari (ndonëse lojtarët morën 5 muaj paga në fund të vitit të kaluar), veçse futbolli i bukur nuk dëshiron të largohet nga Vlora. Sido që të jetë, ekipi kuqezi e ka një pjesë të sharmit të dikurshëm kur në fushë ishin Petro Ruci apo Sokol Kushta. E tregoi edhe ndaj Luftëtarit, edhe pse hyri në fushë me 7 mungesa dhe me sherre të brendshme, duke përfshirë edhe kapitenin.
Flamurtari fitoi 2-1, veçse vuajti shumë ndaj gjirokastritëve të fortë. Kapiteni Franc Veliu shënoi në minutën e 27-të në përballjen e luajtur në Vlorë, ndërsa sulmuesi kroat, Tomisllav Bushiç, realizoi golin e dytë pikërisht në fund të pjesës së parë. Vuajtja erdhi pas pushimit, kur Luftëtari reagoi dhe shkurtoi diferencën në 63’ me rrjetën e Rrocës. Gjithsesi, vendasit u mbajtën dhe morën tri pikë shumë të rëndësishme, edhe pse mbeten në vendin e parafundit, pozicion që të zbret nga kategoria. Megjithatë, diferenca me Teutën është vetëm 2 pikë dhe me Laçin, tri.