Fitorja ndaj Totenhemit nuk fsheh krizën e Çelsit, 3 humbje në 4 ndeshje!

Çfarë vlerësimi mund të ketë një skuadër që humb shumicën e sfidave të saj në kampionat? Padyshim, shumë të ashpër dhe kritik, e nuk mund të ndodhë ndryshe as për Çelsin, pavarësisht nga emri i madh i Frenk Lampardit, dhe nga fitorja e shkëlqyer në fushën e Totenhemit. Blutë e Londrës, vetëm pak ditë pas triumfit ndaj ish-trajnerit të tyre, Zhoze Murinjo, zhgënjyen totalisht duke u mundur në “Stemford Brixh” nga Sauthemptoni.

Obafemi shënoi në pjesën e parë për “Shenjtorët”, ndërsa Redmond vulosi shifrat pas pushimit, me Çelsin që ka humbur 3 nga 4 ndeshjet e fundit. Pas një fillimi të madh, londinezët po humbin jo vetëm terren me kreun e tabelës (Liverpuli, Leisteri e Siti janë të pakapshëm), por edhe po rrezikojnë vendin e katërt, pra zonën Champions. Totenhemi i Murinjos është vetëm 3 pikë larg. Habia më e madhe ishte nga fakti se Sauthemptoni fitoi lehtë, pak a shumë siç bëri Çelsi në fushën e Totenhemit. Shumëkush po thotë se blutë e Londrës po i ngjajnë Mançester Junajtidit, që fiton me të fortët e humbet me të dobëtit.

Sfidanti.al