Ferdinand këshillë Lukakut: Ndiq shembullin tim dhe largohu nga Evertoni

Ish-lojtari i Mançester Junajtidit Rio Ferdinand e këshillon Romelu Lukakun që të largohet nga Evertoni për te ndonjë klub të madh. Ky sulmues trupmadh e njoftoi, javën e kaluar, kryesinë e “karameleve” (Evertonit) se nuk ka ndërmend që të nënshkruajë kontratë të re, megjithëse ka mundësi që të bëhet futbollisti më i paguar në historinë e këtij klubi. Në fakt, Evertoni synon që ta mbajë Lukakun, por kjo duket si një detyrë e vështirë, ndërkohë që për këtë sulmues belg po interesohen Mançester Junajtidi dhe Celsi. Tani, Lukaku mori një këshillë nga Rio Ferdinandi. “Besoj se, kur të dilni në pension, në radhë të parë, ju do të kujtoni trofetë që keni fituar gjatë karrierës suaj dhe jo paratë, sepse, në Premier Ligë, të gjithë lojtarët paguhen mirë.

Në radhë të parë, do të pyesni veten: ‘Ku janë trofetë e mia? Kështu, duhet të mendoj, tani, Lukaku”, thotë ish-pjesëtari i ManU-së dhe i kombëtares angleze, duke shtuar se Evertoni është një ekip në zhvillim e sipër dhe ndodhet në një pozitë të shkëlqyer; ka pronarë të rinj, para të reja dhe ide për t’u shpërngulur në një stadium të ri. “Por, a duhet të rri dhe të pres Lukaku të ardhmen e Evertonit? Unë e kuptoj dëshirën e tij, pasi edhe unë kam qenë në të njëjtën pozitë te Lidsi. Ne kemi luajtur në Ligën e Kampioneve, por a kemi fituar – ‘Jo’. As kampionatin anglez nuk e kemi fituar. Largimi im nga Lidsi u bë për arsyen se unë doja që të fitoja titullin e Premier Ligës. Por Evertoni nuk mund t’ia ofrojë, tani për tani, këtë gjë Lukakut. Evertoni është një klub i madh, por jo fitimtar. Kurse Lukaku duhet të luajë, tani, në një ekip fitimtar”, thotë Rio Ferdinandi që, më 2002, u largua nga Lidsi për te Mançester Junajtidi, me të cilin fitoi gjashtë tituj Premir Lige dhe një Ligë Kampionesh.

sfidanti.al