Emri Totenhem, a të kujton titullin?! Flasin Poçetino dhe Kejn

Fitorja ishte nga ato të mëdhatë, madje në një stadium të famshëm si “Gudison Parku”. Totenhemi i përngjau shumë rivalëve për titull në Premier Ligë, me suksesin 6-2, dhe tani shumëkush pyet, a mund të flasim sërish për garë treshe për kurorën? Më herët ishte treshja Siti-Liverpul-Çelsi, tani është Liverpul-Siti-Totenhem.

Trajneri Maurisio Poçetino, i mbiquajturi “tekniku më i kërkuar në botë”, mendon se ekipi i tij “ia ka hedhur dorashkën” dy gjigandëve të kreut, edhe pse gjykon se do të duhet ende kohë për të kristalizuar pretendimet për maksimumin.

“Ende besoj se Liverpuli dhe Man. Siti janë favoritët për titullin, – tha trajneri argjentinas, – pastaj vijmë ne, Çelsi, Arsenali dhe Mançester Junajtidi. Rruga është ende e gjatë për të thënë nëse jemi pretendentë të vërtetë”. Shqetësimi më i madh i tij është nëse Totenhemi do të ketë vazhdimësi apo jo.

Harri Kejn ishte më ballëhapur. “Të gjithë flasin për Liverpulin dhe Sitin, por edhe ne jemi këtu, dhe po bëjmë detyrën, – u shpreh zv. kapiteni, – ka ende shumë rrugë për të bërë, dhe duhet të jemi të qendrueshëm. Të jemi larg në dhjetor, janar, shkurt e mars, dhe të shohim në çfarë pozicioni do të jemi në prill”. Totenhemi është në vend të tretë të Premier Ligë, me 42 pikë, 6 pikë prapa Liverpulit.

Sfidanti.al