Kritikat i ka të hidhura, dhe nuk mund të mos dëgjohet me kujdes, për vetë karrierën dhe personalitetin që ka. Stefan Efenberg nuk beson se Bajerni do të jetë në gjendje të luftojë siç duhet për Championsin këtë vit, dhe mendon se cilësisht bavarezët kanë “firo”. “Edhe me afrimin e Kutinjos apo Perishiçit, Bajerni është më dobët cilësisht, – tha kampioni i Europës i vitit 2001, – largimi i Riberisë dhe Robenit është humbje e madhe, po ashtu është larguar Humelsi. Për mendimin tim, Liverpuli, Mançester Siti, Barcelona apo Juventusi janë më të fortë”.
Gjithsesi, “Efe” është i vetëm në këto dyshime pasi shumë emra të rëndësishëm të Bajernit të dikurshëm mendojnë ndryshe. Didi Haman, kampion i Europës në 2005 me Liverpulin, mendon se “Bajerni ka shanset më të mira në 3-4 vitet e fundit, dhe vetëm Liverpuli e Mançester Siti mund të mburren se kanë skuadër më të fortë”. Trajneri legjendar, Otmar Hicfeld, po ashtu ndihet i sigurt me bavarezët. “Është qartësisht më mirë, potenciali është më i madh dhe një lojtar si Kutinjo mund t’i japë shumë”. Ashtu si Hicfeldi, mendojnë edhe Patrik Anderson apo Vili Sanjol.
Sfidanti.al