Edhe një “i fortë” si Ramos ndjen presionin, anulon konferencën për shtyp!

Dy gabime radhazi në një ndeshje janë diçka e madhe, ndonëse kapiteni i Spanjës dhe i Realit padyshim që mund të përballojë edhe shumë më tepër se kaq. Gjithsesi, Sergio Ramos ka vendosur të largohet paksa nga “skena”, në prag të sfidës vendimtare të së martës ndaj Gjermanisë në Ligën e Kombeve. Federata Spanjolle njofton se kapiteni anuloi daljen në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Luis Enrike, ndonëse nuk jepet ndonjë shpjegim se përse ndodhi kjo gjë.

Qendërmbrojtësi gaboi dy penallti në sfidën e barazuar 1-1 në Bazel me Zvicrën, diçka që ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes, dhe në faktin që Spanja rrezikon kualifikimin nëse nuk fiton me Gjermaninë në Sevilje. Vetë futbollisti u shpreh pas Zvicrës se “ne nuk na përkufizojnë gabimet që bëjmë, por aftësia për të realizuar objektivat”. Trajneri Luis Enrike e mbrojti menjëherë dhe vazhdon ta bëjë. “Sergio do të kishte gjuajtur edhe penalltinë e tretë, të katërt apo të pestë në atë ndeshje, nëse do t’i kishim pasur”, – deklaroi ai. Në vend të Ramosit, në konferencë për shtyp u caktua Rodri.

Sfidanti.al