E kishte parashikuar Hamiltoni, Mercedesi kampion bote në garën e mërzitshme të Imolës!

Një tjetër Çmim i Madh me një emër krejtësisht të ri, paksa si të “sajuar”. Një tjetër fitore e Ljuis Hamiltonit, e 9-ta këtë sezon në Formula 1, dhe titulli i 7-të botëror i fituar nga Mercedesi. Një rekord në kampionatin botëror të këtij sporti, pasi asnjë skuadër nuk ia kishte dalë të merrte 7 tituj radhazi. Skuadra gjermane mbërrin Lotusin, dhe është fare pranë dy ekipeve britanike, Meklarenit që ka 8 tituj dhe Uilliamsit që ka 9, ndërsa larg mbetet Ferrari me 16.

Hamilton, ndërkaq, u nis nga vendi i dytë, zbriti në të tretin, por pastaj qendroi gjatë në pistën e Imolas duke dalë në vend të parë. Ai dominoi Çmimin e Madh të Emilia Romanjës në Itali, në një garë që doli ashtu siç e kishte parashikuar kampioni i botës, e mërzitshme, thuajse pa asnjë parakalim. Hamiltoni ka 282 pikë, 85 pikë më shumë sesa Valteri Botasi, gjithashtu i Mercedesit, ndërsa në garën e ardhshme në Turqi pritet të shpallet kampion i botës, nëse mbetet deri në 7 pikë prapa Botasit.

Kjo do ta bënte që të barazonte rekordin botëror të Mikael Shumaherit me 7 tituj në karrierë, ndërsa përsa i përket fitoreve ai shton rekordin personal me 93 të tilla. “Një arritje e madhe për skuadrën, – tha anglezi 35-vjeçar më pas, – të gjithë burrat dhe gratë e ekipit tonë kanë bërë një punë shumë të madhe”.

Sfidanti.al