Verdhekuqtë e Murinjos arritën një fitore të bukur 3-0 ndaj HJK Helsinkit, duke lënë pas humbjen e një jave më parë në Bullgari me Ludogorecin. Objektivi për kualifikim në Ligën e Europës mbetet i arritshëm, por dy ekipet e tjerë italianë këtë të enjte dështuan. Lacio, pas fitores së bukur 4-2 ndaj Fejënordit në ndeshjen e parë, pësoi një katastrofë të vërtetë, u mund 1-5 në fushën e Mitjulandit në Danimarkë, disfatë që të kujton atë të Romës vjet në Norvegji ndaj Bodo Glimtit. Elseid Hysaj ishte në fushë për 90 minuta në këtë ndeshje e padyshim që as ai nuk mund të shpëtojë në paraqitjen e dobët të gjithë skuadrës. Fiorentina ndërkaq u mund keq në Turqi nga Istanbul Bashaksehirspori me shifrat 3-0. “Vjollcët” që ishin shumë mirë ndaj Juventusit disa ditë më parë, këtë herë u dukën të lodhur e të çoroditur përballë turqve. Ishte një mesjavë e çuditshme për italianët, pasi patën të martën 2 fitore në Champions me Interin e Milanin, të mërkurën erdhi fitorja e Napolit dhe humbja e rëndë e Juventusit, ndërsa e enjtja ishte më e keqe.
Sfidanti.al