Drazhen Petroviç, 26 vjet nga shuarja e Moxartit të basketbollit

“Nëse nuk luan dot ai, në NBA nuk luan dot askush”. Këto ishin fjalët e trajnerit amerikan Den Peterson, që vlerësonte Drazhen Petroviçin në mesin e viteve 80-të. Petersoni, trajner i Olimpijas së Milanos (dy herë kampion i Europës), kishte të drejtë dhe basketbollisti i madh kroat e jugosllav kaloi çdo barrierë. Për talentin e jashtëzakonshëm, ai u vlerësua si “Moxarti i basketbollit”, një epitet që tregon gjithçka.

I njohur në Shqipëri si “Drazhja”, ai kaloi një rrugë fitimtare që nga Shibenka e qytetit të tij të lindjes Shibenik, tek Cibona e Zagrebit, Reali i Madridit, për të kaptuar Atlantikun, e për të luajtur me Portlendin e Nju Xhersin. Me Netsat arriti kulmet, duke u bërë një nga 10 shënuesit më të mirë të NBA-së, dhe një nga yjet kryesorë të ligës, nën thirrjet “Petro” të komentatorëve.

Fatkeqësisht, kjo legjendë nuk qe e thënë ta mbyllte karrierën siç e meritonte, pasi një aksident tragjik e ndau nga jeta, si sot 26 vjet më parë, në një autostratë të Gjermanisë, pranë Ingolshtatit në Bavari. Drazhen Petroviç u shua në 7 qershor 1993, në krah të së dashurës së tij, ndërsa kishte marrë leje për të mos udhëtuar me kombëtaren e Kroacisë, me avion nga Polonia në Zagreb. Vdekja e tij tronditi gjithë botën, por kujtimi i Drazhes mbetet dhe nuk do të vdesë kurrë. Ashtu siç e meritojnë legjendat.

Sfidanti.al